[ALBANIA] 1 KOMUNIKATË PËR ZGJEDHJET LOKALE TË VITIT 2012 Finlanda ndahet në komuna, të cilat sipas kushtetutës kanë vetëadministrim. Komunat vendosin për shumë nga çështjet lidhur me banorët e komunës. Organi më i lartë vendimmarrës i komunës është këshilli që zgjidhet nga banorët. Anëtarët e këshillit, pra përfaqësuesit zgjidhen nëpërmjet zgjedhjeve lokale një herë në katër vjet. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të dielën 28.10.2012. Në zgjedhjet lokale mund të votojnë dhe të vendosen për kandidatë shtetasit e Finlandës dhe, sipas disa kushteve të caktuara, shtetasit e huaj që banojnë në komunë. Votimi në Finlandë është vullnetar. Në provincën e Ahvenamaa-së nuk do të ketë zgjedhje lokale në vitin 2012. E drejta për votim – kush mund të votojë Në zgjedhjet lokale mund të votoni nëse jeni shtetas i Finlandës, i një prej vendeve anëtare të BE-së, ose i Islandës, Norvegjisë dhe plotësoni kushtet e mëposhtme: - Mbushni jo më vonë se ditën e zgjedhjeve (28.10.2012) 18 vjeç - Jeni me vendbanim në Finlandë deri më 7.9.2012 Nëse jeni shtetas i huaj, atëherë mund të votoni në zgjedhjet lokale nëse - Mbushni jo më vonë se ditën e zgjedhjeve (28.10.2012) 18 vjeç - Keni qenë me vendbanim në Finlandë pa ndërprerje të paktën për dy vjet, para datës 7.9.2012 Vendbanimi përcaktohet sipas ligjit të komunës. Zakonisht, vendbanim konsiderohet komuna ku banoni. Në zgjedhjet lokale të vitit 2012, si vendbanim konsiderohet komuna ku votuesi është regjistruar si banor në regjistrin e popullsisë në datën 7.9.2012 ora 24. Në rast nevoje mund ta kontrolloni vendbanimin në zyrën e gjendjes civile. Në zgjedhjet lokale mund të votoni vetëm për kandidatin në komunën tuaj të banimit. 2 Njoftimi për të drejtën e votimit do të vijë në shtëpi Qendra e regjistrimit të popullsisë dhe zyra e gjendjes civile mbajnë regjistrin e të drejtës së votimit, ku janë regjistruar të gjitha informacionet e personave që kanë të drejtë të votojnë. Në regjistrin e personave që kanë të drejtë për të votuar, nuk është e nevojshme të regjistroheni në veçanti. Zyra e gjendjes civile dërgon jo më vonë se 4.10.2012 njoftimin për të drejtën për të votuar, pra kartën e njoftimit për çdo person që ka të drejtë për votim dhe që ka një adresë. Në kartën e njoftimit ka udhëzime për votimin. E drejta për kandidat – kush mund të jetë kandidat në zgjedhje Ju mund të vendosni të jeni kandidat në zgjedhjet lokale në komunën tuaj, nëse plotësoni kushtet e mëposhtme: - komuna ku do të vendosni kandidaturën tuaj, është komuna juaj e banimit - keni të drejtë votimi në komunë - gëzoni të drejta për votim, pra nuk jeni nën kujdestarinë e dikujt tjetër. Disa nëpunës të shtetit, drejtues dhe punëtorë të komunave nuk kanë të drejtë të vendosin kandidaturën e tyre në zgjedhje lokale. Vendosja e kandidatëve në zgjedhjet lokale Në zgjedhjet lokale mund të vendosin kandidatë - partitë e regjistruara - ata që kanë të drejtë për të votuar dhe që kanë themeluar një shoqatë votuesish. Për themelimin e një shoqate votuesish nevojiten të paktën dhjetë banorë të komunës me të drejtë votimi, ndërsa në disa komuna më të vogla, nevojiten vetëm tre ose pesë banorë. Dy ose më shumë parti ka të drejtë të krijojnë një bashkim zgjedhjesh. Dy ose më shumë shoqata votuesish kanë të drejtën të hartojnë një listë të përbashkët kandidatësh. Partia, bashkimi zgjedhor ose lista e përbashkët mund të ketë kandidatë në komunë një herë e gjysmë më shumë se sa numri i anëtarëve të këshillit që do të zgjidhen. Në këshillin e komunës zgjidhen, në varësi të numri të banorëve të komunës, 17–85 anëtarët të këshillit. Secili kandidat ka numrin e vet. Për kandidatët hartohet një përmbledhje e listave të kandidatëve, ku shënohen kandidatët sipas numrave rendorë duke filluar nga numri 2. Kandidatët janë renditur sipas partive dhe listave të përbashkëta. Për secilin nga kandidatët janë shënuar të dhënat e mëposhtme: emri, numri i kandidatit dhe profesioni. Gjithashtu, në përmbledhjen e listave të kandidatëve gjenden edhe - cilat parti kanë krijuar bashkim zgjedhor - cilat shoqata votuesish kanë krijuar një listë të përbashkët - cilat parti nuk janë pjesë e bashkimit zgjedhor 3 - cilët kandidatë janë kandidatë jashtë listës së përbashkët. Përmbledhja e listës së kandidatëve hartohet më 27.9.2012. Koha e votimit Mund të votoni ose ditën e zgjedhjeve, të dielën 28.10.2012 ose para ditës së zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve paraprake. Mund të votoni vetëm një herë. Votimi dy herë përbën krim sipas kodit penal. Votimi paraprak: Votimi paraprak fillon të mërkurën 17.10.2012. Votimi paraprak përfundon jashtë shtetit të shtunën 20.10.2012 dhe në Finlandë të martën 23.10.2012. Në disa votime paraprake koha për votim është më e shkurtër. Mund të votoni paraprakisht në secilin nga vendet e votimit paraprak në komunën tuaj ose jashtë shtetit. Vendet e votimit paraprak janë - vendet e votimit paraprak që përcaktohen nga komunat në Finlandë, në shumë raste, për shembull, këto janë zyrat e komunës ose postat - shumë nga përfaqësitë diplomatike të Finlandës jashtë shtetit - institucione si spitalet, njësitë e kujdesit social dhe institucionet e vuajtjes së dënimit. Në institucione mund të votojnë vetëm ata që janë për kurim aty ose personat që ndodhen atje. - anijet finlandeze që ndodhen jashtë shtetit gjatë votimit paraprak. Në anije mund të votojë vetëm personeli i anijes, por jo udhëtarët. Votimi në ditën e zgjedhjeve: Votimi në ditën e zgjedhjeve është të dielën 28.10.2012 ora 9–20. Mund të votoni ditën e votimit vetëm në atë komunë dhe vend votimi që është shënuar në kartën e njoftimit që keni marrë. Votimi në shtëpi: Nëse aftësitë tuaja për të lëvizur ose funksionuar janë aq të kufizuara sa nuk mund të shkoni në vendin e votimit pa vështirësi të mëdha, atëherë mund të votoni në shtëpi gjatë votimit paraprak. Për votimin në shtëpi duhet të regjistroheni jo më vonë se të martën 16.10.2012 para orës 16. Regjistrimi bëhet në komisionin zgjedhor qendror të komunës ku banoni. Personi që kujdeset për të afërmin në shtëpi dhe bën pjesë në të njëjtën ekonomi familjare, mund të votojë të njëjtën herë, sipas disa kushteve të caktuara. 4 Kështu votoni Votimi bëhet në vendin e votimit. Mund të votoni vetëm një kandidat, i cili është pjesë e përmbledhjes së listave të kandidatëve të komunës tuaj. 1) Dëshmoni identitetin tuaj para komisionerit të zgjedhjeve, pra tregoni pasaportën, katrën e identitetit, patentën e makinës ose një dokument të këtij lloji. Komisioneri i zgjedhjes do t’ju japë fletën e votimit. 2) Shkoni në kabinën e votimit. Në kabinën e votimit nuk mund të jetë i pranishëm më shumë se një person me radhë. 3) Shënoni në fletën e votimit numrin e kandidatit, që dëshironi të votoni. Mund të votoni vetëm një kandidat. Shënoni numrin e kandidatit brenda rrethit që gjendet në fletën e votimit. Mos bëni shënime të tjera në fletën e votimit. Paloseni fletën e votimit në mënyrë të tillë që numri që keni shënuar të mbetet brenda palosjes dhe të mos duket nga jashtë. 4) Çojeni fletën e palosur të votimit te komisioneri i zgjedhjeve. Komisioneri i zgjedhjeve vulos fletën e votimit. 5a) Nëse votoni ditën e votimit, futeni fletën e vulosur të votimit në kutinë e votimit. 5b) Nëse votoni në votimin paraprak, komisioneri ju jep një zarf ku do të vendosni fletën e vulosur të votimit. Nëse aftësia juaj për të shënuar numrin e kandidatit, është dobësuar ndjeshëm, atëherë gjatë votimit mund të përdorni një ndihmës që ju dëshironi. Ndihmësi nuk mund të jetë një person që është kandidat në zgjedhje. Ndihmësi është i detyruar të ruajë sekretin e votimit, pra të mbajë të fshehtë të dhënat gjatë votimit. Informacione të mëtejshme - Informacione të mëtejshme për zgjedhjet jep komisioni qendror i zgjedhjeve të komunës. Për çështje që kanë të bëjnë me të drejtën për votim, përgjigjet zyra e gjendjes civile. Adresat dhe numrat e telefonave të këtyre vendeve gjenden në kartën e njoftimit. - Adresat dhe oraret e vendeve të votimit paraprak, regjistri i zgjedhjeve dhe informacione të tjera për zgjedhjet, gjenden në faqen e Ministrisë së Drejtësisë për zgjedhjet, në adresën www.vaalit.fi - Informacione për kandidatët e zgjedhjeve lokale gjenden në faqen e Ministrisë së Drejtësisë për zgjedhjet që prej fillimit të tetorit, ndërsa informacionet për vendet e votimit paraprak që prej gjysmës së gushtit. MINISTRIA E DREJTËSISË